Kirurgu pedofil dënohet me 20 vite burg/ Pranoi abuzimin ndaj 299 fëmijëve, mbante ditar me detaje nga sulmet
Ish-kirurgu francez Joel Le Scouarnec, i cili ka pranuar abuzimin seksual ndaj qindra pacientëve të tij, shumica fëmijë, është dënuar me 20 vite burg.
Vendimi u shpall këtë të mërkurë nga gjykata franceze, ndërsa Le Scouarnec, i veshur me të zeza, qëndronte pa emocione gjatë seancës.
Le Scouarnec, 74 vjeç, tashmë ndodhet në burg që prej vitit 2020, kur u dënua me 15 vite për përdhunimin dhe ngacmimin seksual të katër fëmijëve, përfshirë edhe dy mbesat e tij. Në procesin e fundit, ai pranoi se kishte abuzuar seksualisht me 299 pacientë mes viteve 1989 dhe 2014, shumë prej tyre nën anestezi ose duke u zgjuar pas ndërhyrjeve kirurgjikale.
Në një seancë me dyer të mbyllura në muajin mars, Le Scouarnec rrëfeu se ishte pedofil dhe përdhunues, duke thënë:
“Nuk mund ta shoh më veten në të njëjtën mënyrë sepse jam pedofil dhe përdhunues fëmijësh… Ajo që kam parë në gjykatë është vuajtja për të cilën jam përgjegjës.”
Provat kyçe në proces ishin ditarët që ai mbante ndër vite, në të cilët kishte dokumentuar me detaje grafike çdo sulm seksual. Këto ditarë u bënë mjet jetik për policinë për të identifikuar viktimat – shumë prej të cilëve nuk ishin në dijeni se ishin abuzuar.
Gjykatësja Aude Burési theksoi se Le Scouarnec kishte përzgjedhur viktima të sëmura dhe veçanërisht të cenueshme, gjë që rëndoi edhe më shumë pozicionin e tij ligjor.
Disa nga viktimat e tij, tashmë të rritur, dëshmuan gjatë gjyqit 14-javor duke rrëfyer traumën e përjetuar dhe ndikimin që u ka lënë në jetë abuzimi i tij. Dy prej viktimave, sipas vetë deklaratës së Le Scouarnec, kanë ndërruar jetë për shkak të vetëvrasjes – çka e bën çështjen edhe më tragjike.
Gjyshërit e njërit prej viktimave, Mathias Vinet, i cili u vetëvra katër vite më parë, rrëfyen për BBC se momenti kur policia i tregoi se emri i nipit të tyre ndodhej në ditarin e kirurgut, ishte fillimi i “zbritjes në ferr”.
Grupi kolektiv i viktimave kritikoi ashpër institucionet, duke thënë se ky rast tronditës nuk mori vëmendjen që meritonte:
“Asnjë mësim nuk është nxjerrë nga kjo, as nga bota mjekësore dhe as nga politikanët.”
Catherine, nëna e një viktime, deklaroi se ishte hera e parë që shihte kaq shumë gazetarë duke raportuar nga gjykata dhe shtoi me dhimbje se viktimat janë ndjerë të harruar për vite.
“Shpresa ime është që tani mesazhi ynë të dëgjohet. Jo për brezin që është lënduar, por për nipërit dhe mbesat tona,” – tha ajo, duke kërkuar një reagim institucional serioz.
Le Scouarnec ishte i pranishëm çdo ditë të gjyqit dhe vazhdimisht kërkoi falje për “veprimet e tij të neveritshme”.