Kina hakmerret ndaj tarifave të SHBA-së, ul numrin e filmave amerikanë
Kina ka njoftuar një ulje të moderuar të numrit të filmave amerikanë që shfaqen në vend si një masë hakmarrëse ndaj rritjes së tarifave nga Shtetet e Bashkuara. Kjo nismë është bërë e ditur nga Televizioni Qendror Kinez dhe vjen si përgjigje ndaj vendosjes së tarifave të “paligjshme” nga SHBA, të cilat Pekini i konsideron një akt që do të ndikojë në popullaritetin e filmave amerikanë mes publikut kinez.
Zëdhënësi i autoritetit rregullator të filmit në Pekin ka theksuar se në vend të filmave amerikanë, do të ketë një rritje të shfaqjeve të filmave nga shtete të tjera. Kina ka një sistem kuotash për filmat e huaj dhe kërkon që këta filma të përmbushin kërkesat e censurës kineze përpara se të shfaqen në kinema.
Ndërkohë, Kina ka vendosur tarifa hakmarrëse prej 84% për importet amerikane, të cilat kanë hyrë në fuqi sot. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar duke rritur tarifat ndaj importeve kineze në 125%, duke e justifikuar këtë masë me akuzën se Kina ka shfaqur një “mungesë respekti” për tregjet botërore. Pekini, nga ana e tij, ka deklaruar se do të luftojë “deri në fund” në këtë mosmarrëveshje tarifore, duke e akuzuar SHBA-në për zhvatje, por pa rritur më tej tarifat.