Khamenei sfidon SHBA-në: Sulmet ndaj centraleve bërthamore dështuan, do hakmerremi nëse goditemi sërish

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka sfiduar hapur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke deklaruar se sulmet ajrore ndaj tri centraleve bërthamore iraniane nuk arritën asgjë domethënëse dhe nuk e dëmtuan seriozisht programin bërthamor të vendit.

Në paraqitjen e tij të parë publike pas armëpushimit me Izraelin, Khamenei u shfaq në televizionin shtetëror për të shpallur atë që e quajti “dështimi strategjik” i SHBA-së dhe për të dhënë paralajmërime të forta për sulme të reja ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme, në rast se Irani goditet sërish.

“Nëse preken sërish objektet tona, përgjigjja nuk do të jetë simbolike,” tha ai.

Sulmet ajrore amerikane, të kryera ndaj objekteve në Fordo, Natanz dhe Isfahan, janë bërë shkak për dy narrativa tërësisht të ndryshme nga Uashingtoni dhe Teherani.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u shpreh se ndërhyrjet e koordinuara “e kanë shtyrë për vite përpara” zhvillimin e armës bërthamore nga Irani, ndërsa presidenti Donald Trump i cilësoi goditjet si “shkatërrim total të centraleve”.

Megjithatë, Teherani insiston se dëmi ka qenë minimal dhe se sulmet nuk kanë ndikuar realisht në kapacitetet e programit bërthamor. “Ishte një përpjekje e dëshpëruar për të ndalur një proces që nuk mund ta kontrollojnë,” u shpreh Khamenei, duke ironizuar pohimet amerikane për “sukses të madh”.

Në vijim të qëndrimit sfidues, Khamenei përmendi edhe sulmin iranian ndaj një baze ajrore amerikane në Katar, duke e cilësuar si “një përgjigje e matur dhe e fuqishme”. Edhe pse nuk pati viktima dhe SHBA-ja ishte paralajmëruar paraprakisht, udhëheqësi suprem e përshkroi si një shembull të hakmarrjes së mundshme në të ardhmen.

Në një tjetër zhvillim që përshkallëzon më tej krizën, parlamenti iranian ka miratuar një ligj që pezullon bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA). Ligji ndalon inspektimet në objektet bërthamore iraniane, duke i vënë kapak përkohësisht çdo transparence ndaj komunitetit ndërkombëtar.