“Këtu më ktheu vetëm Ali Ahmeti!” Mesazhi i Ramës në Bashkinë e Tiranës, asnjë fjalë për Veliajn

Kryeministri Edi Rama u rikthye sot në Bashkinë e Tiranës pas 13 vjetësh dhe jo për ndonjë takim me kryebashkiakun Erion Veliaj, por për një rast tjetër të veçantë.

Rama ishte i pranishëm në ceremoninë gjatë së cilës kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti u nderua me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës.

Dhe siç e bëri të qartë edhe vetë, ishte kjo pikërisht arsyeja që e riktheu atë në zyrën që e drejtoi për dy mandate, dhe jo Erion Veliaj.

“Vetëm Ali Ahmeti mund të më kthente këtu sot! Kam hedhur disa fjalë në letër sepse duke pasur parasysh që zakonshmit unë nuk flas shkurt, por duke pasur parasysh se edhe për kë duhet të flas sot, kisha shumë frikë se mund t’ju mbaja me orë të tëra për figurën, personalitetin dhe karakterin e Ali Ahmetit. Shumë i nderuar dhe i dashur kryetar, Ali Ahmeti. Sot Tirana nderon një shqiptar ndër më të mirët e historisë sonë kombëtare, një histori e shkruar me stërmundime të jashtëzakonshme, jo vetëm për shkak të fuqive të mëdha për të cilat dikur Shqipëria ishte një shprehje e bezdisshme gjeografike, as vetëm për shkak fqinjësh më të fuqishëm të cilët deri jo shumë dekada më parë e shihnin shqiptarin si atavizëm të padurueshëm historik në trevat dhe trojet e këtij rajoni provincial mes lindjes dhe perëndimit, po edhe për shkak shqiptarësh të këqij, të cilët armët e luftë dhe të diplomacisë i përdornin si rrallëkush kundër njëri – tjetrit pa pasur asnjëherë gajlen më të vogël që mes njeri-tjetrit dhe të huajit, të zgjidhnin të huajin”, tha Rama.

Kryeministri nuk e përmendi në ndonjë moment Erion Veliajn, i cili një ditë më parë sapo kishte dalë nga dyert e SPAK.

Rama nuk është deklaruar ende publikisht për maratonën 8-orëshe të kryebashkiakut në Prokurorinë e Posaçme, por siç la të kuptohej, ai është vetëm në këtë betejë.

Një mesazh “të koduar” Rama dha edhe në mbyllje të fjalës së tij.

“Në mbyllje të kësaj fjale këtu, kur Tiranës i shtohet një qytetar nderi i përmasave të Ali Ahmetit, unë dua të sjell fjalën mençur të një politikani dhe udhëheqësi të madh, “djemtë e duan pushtetin për t’u njohur nga të tjerët, kurse burrat për të bërë për të tjerët”, tha Rama.

Nuk është e qartë nëse këto ishin mesazhe për Veliajn, por zërat se mes tij dhe Ramës ka një krisje nuk mungojnë asnjëherë.

Edhe pse e kanë mohuar disa herë që mes tyre të ketë mosmarrëveshje, kur vjen puna te skandalet e Bashkisë Rama gjithmonë është distancuar, që nga rasti i drejtorëve “5D” dhe deri te vizita me fletë-thirrje e Veliajt ditën e djeshme.

A po mundohet edhe në këtë rast Rama të thojë se çfarëdo që të ketë bërë Veliaj dhe kushdo tjetër në Bashkinë e Tiranës, përgjegjësia është personale dhe duhet të përballet i vetëm me drejtësinë?

Një gjë është e sigurt, në Bashkinë e Tiranës Rama nuk u kthye për Veliajn dhe si duket, nuk do të kthehet as nëse një ditë atij do i duhet të dalë para përgjegjësisë.