Në një atmosferë të tensionuar dhe mes lotëve, ka nisur në Buenos Aires gjyqi për vdekjen e Diego Armando Maradonës, ku në bankën e të akuzuarve ndodhet ekipi mjekësor që u kujdes për të në ditët e fundit të jetës.
Seanca e parë u shoqërua me emocione të forta kur prokurori Patricio Ferrari shfaqi një foto tronditëse të trupit të pajetë të Maradonës, duke deklaruar: “Ja, kështu vdiq Maradona”. Ky moment shkaktoi lot dhe shpërthime emocionale në sallë, ndërsa vajzat e tij, Dalma dhe Giannina, u prekën thellë nga skena.
Të tetë të akuzuarit, mes tyre mjeku personal Leopoldo Luque dhe psikiatrja Agustina Cosachov, përballen me akuzën e “vrasjes me keqdashje të mundshme”. Prokuroria argumenton se ata kanë treguar neglizhencë fatale, duke shkaktuar vdekjen e ish-kampionit argjentinas më 25 nëntor 2020, kur ai po rikuperohej pas një operacioni në kokë.
Në fjalën e tij, prokurori theksoi se ekziston një bazë e fortë provash kundër të akuzuarve dhe e cilësoi rezidencën ku Maradona kaloi ditët e fundit si “shtëpia e tmerreve”. Ndërkohë, turma e mbledhur jashtë gjykatës thërriste “vrasës” ndaj ekipit mjekësor, duke kërkuar drejtësi për legjendën e futbollit.