Kryeministri Edi Rama firmos emrin e Ilir Prodës si drejtori i Policisë së Shtetit. Së shpejti hapet gara për drejtorët e policive në qarqe.
“Kandidati i cili sot u emërua sot do të jetë në krye të policisë dhe menjëherë do të hapim konkurimin për drejtuesit e policive në qarqe” tha ministri Hoxha pas mbledhjes së qeverisë.
Pyetjes së gazetares se a e përligj imazhin e ri të drejtorit të policisë së shtetit fakti që SPAK më herët i ka sekuestruar telefonin për të bërë verifikime lidhur me dekonspirimin e një operacioni sa i takon bandave të Elbasanit ministri Hoxha u përgjigj:
“Fakti që të gjitha organet ligjzbatuese u pyeten në një kohë record dhe përgjigjja e tyre ishte shumë e shpejtë, kandidaturat janë verifikuar nga cdo organ ligjzbatues dhe pastëria e tyre është në përputhje të plotë me ligjin. Ky proces konsiderohet transparent, integrues dhe drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i ka kaluar këto etapa të verifikimit” tha Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.
Ilir Proda u propozua për drejtor të Policisë së Shtetit nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ditën e hënë më 30 Shtator 2024. Propozimi ju dërgua Kryeministrit për të vendosur firmën përfundimtare.
Ilir Proda 41 vjeç u zgjodh nga lista mes 5 kandidatëve me pikët më të larta që ishin në garë për kryepolic.Proda do të pasojë në këtë detyrë Muhamet Rrumbullakun.
Ilir Proda ka një karrierë 19-vjeçare në Policinë e Shtetit. Në vitin 2002 ai nisi studimet në Akademinë e Sigurisë, deri në vitin 2005, kohë kur u emërua specialist pranë Komisariatit 3 në Tiranë, ku qëndroi për 6 vite. Më pas karriera e tij ka vijuar në disa komisariate, struktura hetimore dhe disa drejtori qarqesh.
Në to ka shërbyer si specialist, shef komisariati apo zëvendësdrejtor. Pozicion që e ka mbajtur deri në Mars të 2023, kur u emërua në krye të Policisë së Elbasanit. Kjo ishte hera e parë pas ndryshimeve ligjore që kreu i Policisë së Shtetit u zgjodh me garë të hapur.