Këshilli i Mandateve vendos të hënën për autorizimin e SPAK për arrestimin e tij, Berisha kërkoi mbështetësve të ngrihen në protestë
Sali Berisha ka zgjedhur të nxjerrë besnikët e tij të fundit në protestë të hënën ditën kur në Këshillin e Mandateve do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së tij.
Në ditën që SPAK i kërkoi Kuvendit autorizimin për arrestimin e Berishës përmes zëvendësimit të masës nga “detyrim paraqitje”, të cilën ai nuk e zbatoi 3 herë radhazi, në arrest me burg ose arrest në shtëpi, kreu i Rithemelimit nën hetim për korrupsion pasiv në aferën “Partizani” sërish u kërkoi mbështetësve të tij të ngrihen në protesta.
Mbledhja e përbashkët me grupin e Gazment Bardhit pati debate, pasi edhe krahu i djathtë i Berishës, Flamur Noka kundërshtoi duke thënë se nuk duhet protestë në këto momente. Kundër planit të Berishës për protesta në këto momene siç mësoi Report Tv, u shpreh dhe Gazment Bardhi, i cili siç është vënë re, ka bojkotuar aktivitetet e fundit të Berishës si në rastin e festimeve për 33 vjetorin e themelimit të PD apo dhe në Kuvendin e Rithemelimit.