Këshilli i Mandateve mblidhet për deputetin Vullnet Sinaj/ Bardhi: Përfitoi fonde publike. Reagon socialisti: Do përplasemi bashkë edhe mandatin tjetër, ke shantazhuar deputetët
Vullnet Sinaj dhe Gazment Bardhi janë përplasur në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve, ku po diskutohet kërkesa e një grupi deputetësh të opozitës lidhur me mandatin e ligjvënësit socialist.
Bardhi pretendon se Sinaj është në shkelje të Kushtetutës pasi ka përfituar fonde publike. Por Sinaj tha se është një donator, që prej 20 vitesh është marrë me biznes. Në debatin e zhvilluar, Sinaj tha se Bardhi ka shantazhuar deputetët për t’i marrë firmën.
Ne kemi verifikuar nëpërmjet shkresave zyrtare, në këtë rast Drejtorisë se Thesarit, se deputeti Vullnet Sinaj, nëpërmjet kompanive të tij në vetëm 9 transaksione që ne kemi evidentuar mund të jenë edhe shumë më shumë, ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 36 mijë euro.Në këto kushte ai është neë shkelje të Kushtetutës konkretisht të nenit 70, pika 3. Këto fakte, janë konfirmuar zyrtarisht edhe nga Ministria e Finacave dhe Drejtoria e Thesarit”, tha Bardhi në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.Në vijim ai shtoi se Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet, ka si detyrë vetëm verifikimin formal të procedurës.
Pas Gazment Bardhit, ka reaguar Vullnet Sinaj, i cili duke ironizuar kreun e Grupit Parlamentar të PD-së, tha se “si ka mundësi që nuk ke gjetur dokumentet për paratë që unë kam dhuruar edhe gjatë kohës së tërmetit”.
“Kam dhuruar 100 mijë euro në kohën e tërmetit. Unë kam qenë biznesmen që hyra në politikë dhe nuk u bëra sipërmarrës pasi hyra në politikë. Unë kam 20 vjet që merrem me biznes. Ai biznesi që ju më thoni që është i mi, ka bërë atë sollën e operacioneve te Kardiologjia për fëmijët. Ndaj meje po bëhet një farsë e madhe, që nuk është as ligjore”, tha Sinaj.
Ai tha se në momentin që ka marrë mandatin e deputetit ka hequr dorë nga aksionet e tij në biznese. “Ajo që ju më akuzoni mua sot është shitja e produkteve në kasa. Ku ta dijë një punonjës i kasës se kush ble në marketet e Big Market? Kujt t’ia ndalojmë hyrjen në Big Market na i thoni? Nuk kam përfituar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, përkundrazi jam donator. Nuk kam marrë pjesë në asnjë tender, në asnjë koncension”, tha Sinaj.
Por, Gazment Bardhi përmendi disa institiucione që sipas tij kanë kryer blerje në rrjetin e supermarketeve që ka në pronësi deputeti Sinaj. “Qoftë edhe për 1 lek, ne nuk mund të mbyllim sytë, kur përfituesi është deputet. Jeni në shkelje të Kushtetutës”, tha Bardhi. Ai tha se nuk heq dhe as nuk jep mandate, pasi është Gjykata Kushtetuese e cila vendos për çështjen.
“Nuk duhet të keni frikë nga shqyrtimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit vendos për mandatin, ndoshta keni të drejtë Ju dhe ne e kemi gabim, por mendoj se ne kemi të drejtë”, tha Bardhi.“Ne të dy e dimë shumë mirë, ty as të tutë nuk të besojnë. Nuk të kanë dhënë firmën. i ke shantazhuar, dole në televizor në datën 6 dhe kërkesën e depozitove në datën 8, sepse nuk kishte firmat.
Por me shumë gjasa ne do të përplasemi edhe mandatin tjetër bashkë”, i tha Sinaj, Bardhit. Më herët kreu i Grupit Parlamentar të PD-së kërkoi që çështja të kalojë në Gjykatën Kushtetuese për tu diskutuar.
“S’keni pse të keni frikë, çështjen ta shqyrtojë Kushtetuesja. Nëse ju mendoni se ne gënjejmë atëherë le të jetë Gjykata që do të vendosë”, tha Bardhi.