Këshilli i Legjislacionit pranë Kuvendit mblidhet për të shqyrtuar çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka

Këshilli i Legjislacionit pranë Kuvendit do të mblidhet jashtë sesionit parlamentar për të shqyrtuar sot çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Vendimi u mor nga kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali pas kërkesës zyrtare nga ana e Partisë Demokratike.

Në mbledhjen e orës 11.00 do të shqyrtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e urdhëroi Kuvendin, t’i dërgojë kësaj gjykate mandatin e Olta Xhaçkës për të vendosur nëse është në konflikt interesi apo jo.

Çështja “Xhaçka” është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita e cila pretendon se deputetes socialiste duhet t’i hiqet mandati me argumentin e konfliktit të interesit, për shkak të statusit të investitorit që ka bashkëshorti i saj. Vetë socialistët kanë vendosur që t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një mendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin, siç e cilëson ajo, për çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Nga ana e saj Gjykata Kushtetuese me vendimin marrë më 10 korrik 2024 është shprehur se Kuvendi është i detyruar tia dërgojë për shqyrtim cështjen e mandatit të Xhaçkës.