“Kërkonte punë, na solli byrek, ishte familje e…/ Habisin komshinjtë me dëshmitë e tyre, flasin për vrasjen makabre të 44-vjeçares shqiptare në Selanik

Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 44-vjeçares shqiptare nga duart e bashkëshortit të saj 53-vjeçar, në Sindos të Selanikut.

Burri e goditi disa herë me thikë gruan e tij, duke i shkaktuar plagë të rënda, dhe më pas kreu vetëvrasje.

Sipas TyposThes, gruaja e plagosur dhe e gjakosur doli në ballkon për ndihmë, por burri e tërhoqi sërish brenda dhe e masakroi përsëri me thikë, duke e lënë të vdekur.

Më pas, 53-vjeçari u hodh nga ballkoni, duke pësuar plagë të rënda, dhe ndërroi jetë gjatë transportit për në spitalin Papanikolaou.

Familje e qetë, pa probleme të dukshme

Çifti kishte dy fëmijë, një 16-vjeçare dhe një 21-vjeçar, të cilët në momentin e krimit nuk ndodheshin në shtëpi. Vajza e mitur ishte në shkollë, sipas protothema.gr.

I vëllai i viktimës, i cili shkoi menjëherë në apartament sapo u njoftua, tha se çifti nuk kishte probleme të dukshme dhe nuk grindeshin.

Dëshmitë e fqinjëve

Dëshmitarët tregojnë se asnjëherë nuk kishin dëgjuar zënka nga apartamenti i çiftit.

“Ishin njerëz të qetë. Nuk kam dëgjuar kurrë ndonjë zë të lartë nga apartamenti i tyre,” – tha një fqinj.

Një tjetër banor shtoi: “I shihnim gjithmonë të shkonin në punë, ishin një familje normale. Nuk mund ta besoj këtë që ka ndodhur.”

Një tjetër dëshmitare tha: “Ishin qiraxhinj të rinj dhe gruaja na kishte pyetur për punë. I sugjeruam një fabrikë ëmbëlsirash dhe ajo e mori punën. Madje, na solli edhe disa byrekë për të na falënderuar.”

Autopsia zbuloi se burri e kishte goditur gruan në bark dhe qafë, duke i shkaktuar humbje të madhe gjaku, nga e cila ndërroi jetë.

Pas vrasjes, ai u hodh nga ballkoni i apartamentit në katin e dytë, duke pësuar lëndime të rënda. Gjatë rrugës për në spital, ai humbi jetën.

Në vendngjarje mbërriti një ekip i mjekësisë ligjore dhe ekspertë të policisë greke (EL.AS), të cilët po hetojnë rrethanat e ngjarjes.