Kërkon lirinë, Kushtetuesja merr sot vendimin për Sali Berishën! Ja orari kur mblidhet Gjykata
Gjykata Kushtetuese do të mblidhet ditën e sotme në orën 12:30 për të marrë vendimin për Sali Berishën, i cili kërkon shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” ndaj tij.
Kushtetuesja u ,mblodh më 19 Nëntor, por shtyu për të enjten diskutimet për Sali Berishën.
Kreu i PD-së kërkon shpalljen antikushtetues të vendimit të GJKKO dhe të Apelit të Posaçëm që e la atë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Në kërkesën e tij, Sali Berisha shprehet se SPAK duhet të merrte autorizimin në Kuvend për masën ndaj tij. Kreu i PD-së, Sali Berisha ndodhet prej 30 dhjetorit 2023 nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për çështjen “Partizani” dhe të kërkesat e tij për lirim janë rrëzuar nga shkallët e gjyqësorit.
Berisha është në hetim për veprën penale të korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet nga SPAK se ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij. Si Berisha, ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga Kryeministri Edi Rama.
Kryetari i PD, Sali Berisha, kërkon rrëzimin e masës së parë të vendosur ndaj tij nga SPAK-u, detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. Sipas liderit të opozitës, masa është e paligjshme, pasi prokuroria duhet të kërkonte autorizim nga Parlamenti. Në mënyrë që Sali Berisha të fitojë, duhet që nga trupa prej 8 anëtarësh 5 gjyqtarë të votojnë pro tij.
Me të njëjtën kërkesë, Gjykatës Kushtetuese iu drejtuan një vit më parë edhe deputetët e PD-së, por kushtetuesja nuk i legjitimoi. Lideri i opozitës Sali Berisha ka goditur masën e sigurisë të vendosur ndaj tij në të gjitha shkallët, por gjyqtarët i kanë dhënë të drejtë SPAK. Një vit më parë gjykata e posaçme vendosi ndaj Sali Berishës masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për të udhëtuar jashtë vendit. Berisha refuzoi ta zbatojë këtë masë ndaj në 30 dhjetor gjykata ashpërsoi masën e sigurisë duke e vendosur kryetarin e PD në arrest shtëpie.
6 muaj para zgjedhjeve parlamentare kushtetuesja është një ndër të paktat mundësi që Sali Berisha të lirohet. Një skenar tjetër që ekipi mbrojtjes i Berishës po sheh është ti kërkojnë gjykatës së shkallës së parë të heqë masën e sigurisë, pasi hetimi ka përfunduar e çështja ka shkuar për gjykim. Kryetari i PD Sali Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit në çështjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”. Në lidhje me shtyrjen e djeshme të vendimit nga ana e gjykatës kushtetuese, deputeti i PD-së Tritan Shehu shprehet se çështja Berisha me siguri do të gjejë zgjidhjen në përputhje me të vërtetën dhe realitetin.