Kërkoi ulje të dënimit, gjykata supreme rrëzon ish-komandantin e UÇK-së, Sali Mustafa
Paneli i Gjykatës Supreme në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka hedhur poshtë kërkesën e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, për ulje të dënimit prej 15 vjetësh burgim.
Ky vendim është marrë nga paneli i gjykatës, i përbërë nga kryetarja Ekaterina Trendafilova dhe gjykatësit Christine van den Wyngaert dhe Daniel Fransen, të cilët e refuzuan gjithashtu ankesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për vendimin e Apelit të vitit të kaluar.
Në dhjetor 2022, Mustafa u dënua për krime lufte me 26 vjet burgim, por në dhjetor 2023 Apeli ia uli dënimin në 22 vjet. Më pas, më 10 shtator 2024, dënimi u zvogëlua në 15 vjet, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Mustafa është arrestuar në shtator 2020 dhe ka qenë i dënuar për krime lufte, ndërsa është i pari që është dënuar nga Dhomat e Specializuara për akuzat lidhur me krime lufte. Procesi gjyqësor ka pasur 29 dëshmitarë dhe 8 viktima që kanë dëshmuar.
Përveç Mustafës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ndërkohë që gjyqi ndaj tyre vazhdon.