“Kërkoi t’ia lanim makinën!” – Mark Samson çoi mjetin në servis pas vrasjes së Ilaria Sulës, punonjësit: Asnjë shenjë, dukej…

Detaje tronditëse dalin në dritë lidhur me vrasjen brutale të 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, e cila u masakrua me thikë në qafë dhe më pas u hodh në një greminë nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson, me origjinë filipinase.

Mediat italiane raportojnë se vetëm pak ditë pas krimit makabër, Samson kishte çuar makinën e tij në një servis për riparimin e parakolpit dhe pastrim të plotë, duke mos lënë të dyshohej aspak për atë që kishte ndodhur. Punonjësit e servisit tregojnë se ai ishte një klient i rregullt dhe i sjellshëm, që nuk kishte krijuar kurrë ndonjë problem gjatë një viti që frekuentonte atë vend.

“Ishte gjithmonë i edukuar, i qetë, e donte makinën e pastër. Këtë herë, pastrimin e kërkoi me këmbëngulje, si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë,” tregoi njëri prej mekanikëve. Sipas tyre, brenda makinës nuk u vërejtën asnjë shenjë gjaku apo dëmtime të çuditshme.

Sekretarja e servisit tregoi gjithashtu se Samson kishte pasur një aksident në dhjetor dhe riparimi ishte planifikuar kohë më parë. “Të mërkurën në mëngjes, pasi e pastruam makinën, do ta lajmëronim që të vinte ta merrte, por nuk e bëmë kurrë, sepse policia erdhi për ta sekuestruar mjetin,” tha ajo.

Në atë moment, askush nuk e kuptonte arsyen e ndërhyrjes policore, por më vonë lajmi për vrasjen e Ilarias i tronditi të gjithë. Punonjësit thanë se kishin parë shpesh Ilariën në servis, duke shoqëruar partnerin e saj. “Ishte vajzë shumë e turpshme dhe e bukur. Duket e pabesueshme që ai e vrau,” pohuan ata.

Makina, ende e çmontuar për shkak të riparimeve, u sekuestrua menjëherë nga autoritetet për hetimet në vijim.