Kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë, GJKKO shtyn seancën për Berishën. Avokati: Rast flagrant dhe skandaloz

Do të mbahej sot seanca gjyqësore e radhës për ish-kryeministrin Sali Berisha, për revokimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’, por gjyqi është shtyrë sërish.

Seanca e radhës do të mbahet më 8 prill, në orën 13:00.

Shkak i shtyrjes, është bërë mungesa e prokuroreve.

Përmes një shkrese, dy prokuroret e SPAK, vunë në dijeni gjykatën se nuk mund të paraqiteshin në seancë për arsye objektive.

Ashtu si në çdo seancë, avokatët e Berishës, Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj u paraqitën në ambientet e GJKKO.

Kujtojmë se Berisha ka bërë disa herë kërkesë për ndryshim të masës së sigurisë, por ajo është refuzuar.

Po ashtu ai ka kërkuar që të jetë i pranishëm në seancat plenare, si e drejtë e tij për të përfaqësuar interesin e qytetarëve që e kanë zgjedhur, në Kuvend.

Pavarësisht pretendimeve të tij, GJKKO ka refuzuar kërkesat.

Kujtojmë se Berisha ndodhet në arrest shtëpiak që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.

E parashikuar për në orën 8:30, seanca filloi me pak vonesë, U konstatua për herë të dy, mungesa e prokurorëve.

Sot në orën 8:10, sipas gjykatës, prokurorët kanë dorëzuar një shkresë në sekretarinë gjyqësore me anë të së cilës thonë që për shkaqe objektive ata nuk paraqiten në seancë gjyqësore.

Kjo është hera e dytë, është rast flagrant dhe skandaloz, që prokurorët nuk vijnë në seancë gjyqësore, prokurorët që e kanë nisur këtë farsë, këtë proces farsë.

Nuk vijnë të paraqiten në seancë gjyqësore’‘, tha avokati i Berishës, Gjokutaj.