Kërkoi lirimin nga qelia, shtyhet seanca për Ervin Salianjin! Çfarë deklaroi avokati i ish-deputetit
Seanca gjyqësore ndaj Ervin Salianjit në Gjykatën e Fierit për shqyrtimin e kërkesës së tij për lirimin nga qelia është shtyrë. Seanca është caktuar për datën 24 qershor.
Ledio Braho, avokati i ish-deputetit, deklaroi se arsyeja e shtyrjes ishte mungesa e raportit të vlerësimit nga IEVP Fier. “Sot ishte seanca e parë, mungonte raporti i vlerësimit nga IEVP Fier, kështu që u shty për ditën e martë në mënyrë që IEVP Fier të sjellë raportin lidhur me kërkuesin Ervin Salianji. Të pranishme sot ishin të gjitha palët, ne bëmë relatimin e kërkesës sonë, të gjithë argumentet, si kalimin e kohës së 2/3 në burg, si edhe që ai plotëson të gjitha kushtet për ta përfituar lirimin me kushtin para kohe,” u shpreh Braho.
Ai shtoi: “Besoj se do të ketë dy seanca deri në marrjen e një vendimi. Besoj do të jetë e suksesshme, por nuk bëjmë dot orakullin për proceset gjyqësore në Shqipëri. Është në të drejtën e tij për të fituar lirinë edhe pse nuk duhet të kishte qenë fare aty. Kam kontakt të vazhdueshëm me Ervin Salianji. Besoj përderisa përfaqësohet nga avokati, ai e di vetë pse nuk do që të vijë.”