Kërkoi hetim për korrupsion, Argita Malltezi përfundon vetë në SPAK! Kallëzohet nga gjyqtarja Irena Gjoka

Akuzat për korrupsion u kthyen në tabu. Argita Malltezi ka përfunduar në dyert e SPAK-ut, pas kërkesës së gjyqtares së GJKKO, Irena Gjoka.

Vajza e ish-kryeministrit të vendit, Sali Berisha është kallëzuar nga Gjoka që të hetohen deklaratat e Malltezit, e cila e akuzon gjyqtaren se është korruptuar me 500 mijë euro. Malltezi u shpreh se gjyqtarja Gjoka del në një video, duke i kërkuar një ish-eksponenti të PS shifrën gjysmëmilionëshe që të mos e fuste në grup të strukturuar kriminal dhe t’i lehtësonte atij pozitën ligjore.

Gjyqtarja Gjoka, e cila “ka izoluar” në shtëpi Sali Berishën dhe Jamarber Malltezin, i ka kërkuar SPAK-ut hetim të thelluar për këto deklarata të vajzës së kryetarit të Partisë Demokratike. Menjëherë pasi kërkesa e gjyqtares Gjoka është bërë publike, ka reaguar edhe vetë Argita Malltezi e cila nuk është tërhequr nga deklarata e bërë në 23 shtator.

Malltezi ka sqaruar se në atë konferencë ajo ka ngritur vetëm pyetje, të cilat i ka përsëritur edhe këtë të shtunë. Argita Malltezi ka vënë në dukje se kërkesa e Irena gjokës duhej të merrej në shqyrtim nga prokuroria e një rrethi tjetër e jo nga SPAK, në mënyrë që të evitoheshin ndikimet e paligjshme, por kjo nuk vlen për radhën e kamikazëve të degës së posaçme. / Replikë.al