Kërkesa e presidentit Begaj për Gjykatën Kushtetuese, reagon Gaz Bardhi: Nuk ka surprizuar askënd për rolin e tij si ushtar i …
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar ashpër pas kërkesës së presidentit Bajram Begaj për rishikimin e mandateve në Gjykatën Kushtetuese.
STATUSI I PLOTË:
Akti i pashëmbullt i Bajram Begajt, në emër dhe për llogari të Edi Ramës, për të kapur 100 % Gjykatën Kushtetuese, është jo vetëm i dënueshëm, por edhe i papranueshëm.
Kushtetuta qartësisht i ka dhënë gjyqtarëve në detyrë një mandat të plotë 9 vjeçarë, që nuk mund të cenohet në asnjë rrethanë pas fillimit të detyrës. Cënimi i mandateve nënkupton cenimin e vetë pavarësisë së Gjykatës dhe parimeve themelore të shtetit të së drejtës.
Me aktin e sotëm Bajram Begaj nuk ka surprizuar askënd për rolin e tij si ushtar i bindur i Edi Ramës, por guximi i tij për të shkuar deri tek hedhja në erë e Kushtetutës vetëm që Edi Rama ta rrëmbejë Gjykatën Kushtetuese 100 %, është përtej pritshmërisë së shërbimeve edhe nga ushtari me gradën më të ulët.
Duke dënuar me forcë aktin e sotëm të Bajram Begajt, apeloj që kjo lojë që rrezikon legjitimitetin e vetë Gjykatës Kushtetuese, të ndalet menjëherë.