Kërcënoi me pistoletë loder kandidaten amerikane të “Shqipëria Bëhet”, shoqërohet 45-vjeçari në Durrës
Policia e Durrësia ka shoqëruar në Komisariat një 45-vjeçar, pasi me anë të një pistolete lodër kërcënoi kandidaten e Shqipëria Bëhet në këtë qark, Valbona Myhedin.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet mjeti i përdorur lodër të cilën e mbante në brez dhe dyshohet se ka ngritur xhupin duke ja treguar kandidates.
Nga verifikimet e kryera rezulton se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në lidhje me një deklaratë të bërë publike në rrjetet sociale nga shtetasi A. L., drejtues i subjektit politik “Shqipëria Bëhet”, se një person i armatosur në Durrës ka kërcënuar me armë kandidaten për deputete të këtij subjekti, znj. V. M., dhe aktivistët që e shoqëronin, teksa ajo zhvillonte takime me qytetarët në lagjen nr. 8, sqarojmë se:
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, sapo janë njohur me denoncimin publik të bërë nga z. A. L., menjëherë kanë nisur punën për verifikimin e rastit.
Shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve në terren, kanë bërë të mundur identifikimin e personit dhe kanë vijuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ndërkohë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës është paraqitur për të bërë kallëzim kandidatja për deputete, znj. V. M.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe kontrolleve intensive në terren, rreth orës 21:15, shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Durrës të shtetasit A. B., 45 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një pistoletë plastike (lodër), të cilën 45 vjeçari e mbante në brez dhe dyshohet se ka ngritur xhupin duke ja treguar shtetases V.M për të kërcënuar.
Nga verifikimet e kryera rezulton se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe është i regjistruar dhe i evidentuar nga shërbimi psikiatrik.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet procedurale në ngarkim të tij.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës siguron qytetarët dhe subjektet politike se shërbimet e Policisë janë tërësisht të angazhuara për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë gjithë procesit zgjedhor, të baraslarguara nga subjektet politike dhe vetëm në shërbim të ligjit.