Arben Isufaj, i njohur si “Ben Qimja”, është shpallur në kërkim nga autoritetet pasi dyshohet se ka kërcënuar gjyqtarin e Gjykatës së Fierit, Vladimir Cjapi. Shkak i këtij kërcënimi dyshohet të jetë një çështje gjyqësore që lidhet me një të afërm të Isufajt.
Burime zyrtare bëjnë me dije se gjithçka ka nisur për shkak të një procesi që gjyqtari Cjapi ka në shqyrtim, konkretisht për veprën penale të “Kundërshtimit të punonjësve të policisë”, ku një nga të pandehurit është nipi i Ben Qimes.
Sipas hetimeve, Isufaj dyshohet se ka kërkuar favorizim nga gjyqtari, por pasi ky i fundit refuzoi, situata ka marrë përmasa kërcënuese. Mesazhi që dyshohet se i është dërguar gjyqtarit ka qenë tejet i rëndë:
“Mbaje mend se çfarë do të të bëj, edhe mushkonjat e shtëpisë do t’i vras”, – thuhet në mesazhin që ka alarmuar autoritetet.
Pas këtij kërcënimi, gjyqtari Vladimir Cjapi ka bërë menjëherë kallëzim në polici, çka ka çuar në një operacion të menjëhershëm nga forcat RENEA. Gjatë kontrolleve në banesat dhe ambientet në pronësi të 55-vjeçarit janë sekuestruar:
• Një pistoletë
• Një palë targa të huaja
• Një jelek multifunksional i ngjashëm me ato të Policisë
• Dy pajisje DVR
• Gjashtë celularë
• Disa dokumente zyrtarë
Arben Isufaj tani përballet me akuza të rënda për veprat penale:
• “Kanosja e gjyqtarit”
• “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”
Ndërkohë, autoritetet janë në kërkim të tij, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij kërcënimi të rëndë që ka alarmuar edhe sistemin gjyqësor.