Kërcënohet Salvador Kaçaj, kallëzimi: Dy persona më prenë rrugën, nxorrën armët

Ish-kreu i Komunës Shëngjin, Salvador Kaçaj është kërcënuar këtë pasdite.

Ka qenë vetë Kaçaj ai që ka bërë kallëzimin në Policinë e Lezhës, ku ka deklaruar se është kanosur nga dy persona. Kaçaj ka thënë se është kërcënuar nga dy persona, që i kanë prerë rrugën në Shëngjin. Ai tregon se një prej tyre, është afruar në drejtim të mjetit të Kaçajt dhe i ka nxjerrë armën e zjarrit.

 

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 18:00, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. K. 56 vjeç, banues në Lezhë, dhe ka bërë kallzim se ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij së bashku me djalin e shoferin, në aksin rrugor Lezhë-Milot, dhe konkretisht sapo kalon vendin e quajtur M+, dy automjete i kanë dalë përpara duke i bllokuar rrugën. Nga automjetet kanë zbritur dy persona të panjohur prej tij, ku njëri prej tyre është afruar me vrap në drejtim të mjetit të tij dhe dyshohet se në dorë mbante një pistoletë.

Drejtuesi i mjetit ku udhëtonte shtetasi S.K., ka manovruar duke e kthyer mjetin në drejtim të Lezhës dhe kanë ardhur menjëherë në polici ku kanë bërë edhe kallzimin.

Në lidhje me kallzimin e shtetasit S.K., shërbimet e Policisë kanë njoftuar menjëherë Prokurorin si dhe nën drejtimin e tij, po kryejnë të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale me qëllimin zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.