Kërcënimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve, reagon ambasada e SHBA: Thellësisht të shqetësuar
Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar në lidhje me kërcënimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve, që janë marrë në mbrojtje pas rrëfimit të të penduarit Artan Tafani i cili tregoi për planin e grupit të Laert Haxhiut për eliminimin e prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe prokurores së shkarkuar në vetting të Lushnjës, Merita Selimi.
“Një sistem drejtësie që funksionon pa frikë dhe kërcënime është kërkesë legjitime e popullit shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për kërcënimet për dhunë ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratike. Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcenime apo kanosje. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre.”, njofton ambasada.