Këngëtari shqiptar: Ndihem grek, kujtimet e mia nga Shqipëria janë të shtënat me armë në ‘97-ën

Këngëtari me origjinë shqiptare, Christos Santikai, ka ndarë detaje nga fëmijëria e tij dhe zhvendosja me familjen në Greqi gjatë vitit 1997. Në një intervistë për mediat greke, ai është shprehur se nuk e ndjen veten si të huaj në Greqi, pasi është rritur atje dhe identifikohet si grek.

Santikai, i cili ka lindur në Shqipëri në vitin 1994, tha se kujtimet e tij nga vendlindja janë të pakta dhe lidhen kryesisht me trazirat e vitit 1997, kur vendi u përfshi nga kaosi dhe dhuna e armatosur.

“Kam lindur në vitin 1994 në Shqipëri dhe kam ardhur në Greqi në vitin 1997. Kam ardhur këtu në moshën e djalit tim, vogëlush. Nuk mendoj se jam larguar nga shtëpia sepse nuk e ndjej. Më duket sikur jam grek dhe jam rritur këtu. Të vetmet kujtime që kam janë të shtënat me armë zjarri, sepse ato kanë filluar edhe në qytetin tim”, u shpreh këngëtari.

Ai gjithashtu theksoi se familja e tij u largua nga Shqipëria brenda natës, duke mos pasur zgjidhje tjetër për shkak të situatës së pasigurt në vend.