“Kemi rënë në dashuri me Tiranën”/ Çifti amerikan lë SHBA-në për jetën në Shqipëri, por ëndrra përfundon në tragjedi në Shkodër
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën mëngjesin e sotëm, ku një turiste amerikane, Sandra Saporito, 53 vjeç, u vra me thikë nga partneri i saj, Brendon Saporito, 57 vjeç. Çifti kishte ardhur në Shqipëri vetëm një muaj më parë, duke ndjekur një ëndërr për një jetë të re në Europë.
Pas krimit, autori ka tentuar të vetëvritet duke prerë damarët e dorës, por ka mbetur vetëm me plagë të lehta dhe është shoqëruar nga policia. Sipas informacioneve paraprake, në momentin e ngjarjes ai ishte në gjendje të dehur.
Historia e tyre ka nisur me emocion. Në një postim në rrjetet sociale më 21 mars, një mik i çiftit shkruante: “Shumë i lumtur që unë dhe Jason kaluam natën e fundit me Brendonin dhe Sandrën përpara se ata të nisnin disa aventura të reja të jashtëzakonshme në jetë”.
Më 24 mars, ata shesin makinën e fundit dhe largohen përfundimisht nga SHBA.
“Më në fund po bëhet realitet! Makina u shit dhe nesër është dita jonë e fundit në SHBA. Ndjehem e emocionuar”, shkruante Sandra në Facebook.
Ajo ndante planin për një tur të gjatë në Ballkan dhe në Europë, duke e nisur nga Shqipëria, ku synonin të qëndronin për 9 muaj dhe më pas të gjenin një vend ku të ndërtonin një jetë të re.
Në Shqipëri mbërritën më 27 mars, ndërsa destinacioni i parë ishte Tirana. Më 30 mars, Sandra poston: “Kemi rënë në dashuri me Tiranën”, duke shpërndarë foto nga Piramida dhe Parku i Liqenit. I shoqëruar nga qenushja e tyre Harvey, çifti dukej i lumtur dhe i qetë në çdo postim.
Por ëndrra për një jetë të re përfundoi në mënyrën më tragjike. Në vend të një fillimi të ri, Shkodra u bë skena e fundit për Sandrën, e cila humbi jetën në mënyrë makabre.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes që i dha fund një historie dashurie të nisur me shumë shpresë.