Që nga hyrja në ‘Big Brother VIP Kosova’ Mevlan Shaba është komentuar pafund për jetën e tij sentimentale. Nga pjesëmarrja e tij në këtë reality show ai zbuloi se do bëhet baba së shpejti. Sipas “Kosova Today”, një krizë serioze ka shpërthyer mes çiftit, duke vënë në dyshim vazhdimësinë e marrëdhënies së tyre.
Për më tepër, të gjitha postimet e përbashkëta në rrjetet sociale janë fshirë, përfshirë edhe atë që konfirmonte lajmin e shtatzënisë. Ky zhvillim ka shkaktuar debat dhe spekulime të shumta në rrjet. Ju kujtojmë se partnerja i zbuloi shtatzëninë Mevlanit brenda shtëpisë së “BBVK”, ndërsa më pas erdhi reagimi i Livias, ish-it të Mevlanit. Kjo e fundit e akuzoi për tradhti. Nuk dihet se nëse akuzat e Livias kanë ndikuar në ndarjen e Mevlanit dhe partneres së tij.
Megjithatë, vetë ish-konkurrenti ka publikuar një foto në krahët e saj, ku shihet duke e shijuar momentin. Më shumë sesa një përgënjeshtrim i lajmit të ndarjes, këngëtari ka tentuar që të bëjë më shumë lëmsh rrjetin. Nga ato çfarë dihet, partnerja e tij është shumë e prekur nga gjithçka ka ndodhur dhe aktualisht kanë një raport të ngrirë me njëri-tjetrin, ndonëse ajo është në pritje të fëmijës së tyre.
Sipas Livias, ata janë takuar tri herë në tetor dhe kanë fjetur bashkë. Ndërsa u pyet mbi shtatzëninë e partneres tjetër të Mevlanit, ajo tha se nuk habitet pasi edhe këtë të fundit kishte tentuar ta linte shtatzënë.
“Jam në shok, sepse nuk e kam pritur këtë lajm. Nuk e dija më ka rënë në kokë si rrufe. Nuk kam fjetur atë natë, jam në shok. Unë u ktheva në Itali në janar, por historia jonë ka zhvilluar gjithmonë. Kam shkuar në Itali për disa punë dhe do kthehesha prap. Në fillimet tona, pas dy muajsh tentoi të më linte shtatzënë, kemi tentuar shumë herët. Edhe mendoj që ka ndodhur shumë shpejt edhe mes tyre. Nuk ka mundësi të kenë një vit bashkë. Ne ishim në një marrëdhënie. Para se të nisesha për në Itali unë shkoja te prindërit e tij, ai ka ardhur te mami im. Ne ishim bashkë. Më ka ardhur ftesë nga BBVK që ne të futeshim çift. Dhe ai thoshte po deri në fund të gushtit. Por unë nuk doja.”
Mevlani reagoi me tone të ashpra, duke e quajtur Livian “mashtruese”. Ai theksoi se gjithçka që ajo ka thënë është një përpjekje për të manipuluar publikun dhe për të dëmtuar imazhin e tij në një moment kaq të rëndësishëm të jetës së tij.
“E kam pritur këtë gjë. Ne me Orin kemi nga marsi apo prilli që kemi nisur të njihemi, ajo ka nisur të bëjë kalkulimet, duke menduar se teksa kam qenë me të, kam pasur një tjetër. Njohja me Orin ka nisur 3 ose 4 muaj pas ndarjes sime. Komunikime kemi pasur për arsye të ndryshme. Ajo ka bërë gabim, e di vetë ajo, pasi jemi ndarë pas një kohe të vogël ka rinisur një lidhje, nuk i ka ecur, e tentoi sërish tek unë”, u shpreh Mevlani.