KE publikon raportin për Shqipërinë: Vlerë për SPAK, kritika për KLGJ, KLP dhe komisionin ‘Xhafaj’

Komisioni Evropian ka publikuar raportin përfundimtar për shtetin e së drejtës në Shqipëri, duke vlerësuar konsolidimin e reformës në drejtësi, por edhe duke adresuar kritika të forta ndaj disa institucioneve dhe praktikave problematike.

Raporti 17 faqësh konfirmon progresin në forcimin e shtetit të së drejtës dhe vlerëson punën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila sipas KE-së ka treguar pavarësi, vizion strategjik dhe ka fituar besimin e lartë të publikut, pavarësisht sulmeve nga aktorë politikë, krimi i organizuar dhe media.

Në të njëjtën kohë, KE shpreh shqetësime serioze për funksionimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), sidomos për kuotat e pranimeve në Shkollën e Magjistraturës dhe emërimet e anëtarëve jo-magjistratë nga Parlamenti, të cilët nuk kalojnë filtrat e verifikimit të pasurisë dhe integritetit si magjistratët.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe komisionit parlamentar të njohur si “Komisioni Xhafaj”. KE thekson mangësi në metodologji dhe ndikim, duke e cilësuar si një punë të përsëritur, që mund të dublon përpjekjet ekzistuese të reformës në drejtësi. Sipas raportit, puna e tij duhet të jetë gjithëpërfshirëse, transparente dhe në përputhje me objektivat e reformës së vitit 2016.

Komisioni sjell edhe të dhëna shqetësuese për perceptimin e korrupsionit në Shqipëri. Sipas Barometrit Special 2025, 86% e qytetarëve e konsiderojnë korrupsionin të përhapur, ndërsa 45% ndihen të prekur personalisht. Edhe bizneset raportojnë shifra të larta: 85% e shohin korrupsionin si fenomen të zakonshëm dhe 63% e konsiderojnë atë si pengesë në zhvillimin e aktivitetit të tyre.

Raporti evidenton gjithashtu mungesën e aksesit të plotë në drejtësi, zvarritjen e çështjeve, si dhe faktin që sistemi elektronik i drejtësisë pritet të jetë funksional vetëm në vitin 2030. Një tjetër problematikë e theksuar është moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht nga Kuvendi.