Katër të vdekur gjatë marrjes së pengjeve në një burg rus/ Identifikohen si militantë të Shtetit Islamik
Autoritetet ruse kanë sulmuar një koloni të largët burgu në rajonin jugperëndimor të Volgogradit dhe kanë “neutralizuar” katër persona, pasi të burgosurit u revoltuan dhe morën peng disa roje.
Forcat speciale u detyruan të hynin në objektin IK-19 Surovikino pasi të burgosurit me thikë, të cilët e identifikuan veten si militantë të Shtetit Islamik (IS), morën peng stafin dhe pretenduan se kishin marrë kontrollin e kompleksit të gjerë. Agjencia shtetërore e lajmeve Tass tha se një punonjës i shërbimit të burgut u vra.
Nuk ishte e qartë se sa pengje ishin marrë, megjithëse disa raporte në mediat ruse sugjeruan se drejtori dhe zëvendësdrejtori i burgut ishin sekuestruar.
N
Guvernatori rajonal i Volgogradit, Andrei Bocharov tha më parë se marrja e pengjeve nuk përbënte “asnjë kërcënim për popullsinë civile”. Presidenti Vladimir Putin u filmua duke marrë pjesë në një takim virtual me shefat e sigurisë, ku u informua për situatën.
Pengmarrja në Volgograd është incidenti i dytë i tillë këtë verë, pasi gjashtë të burgosur që u zotuan për besnikëri ndaj grupit të Shtetit Islamik kapën dy roje në një strukturë në rajonin fqinj të Rostovit.
Pesë të burgosur u vranë dhe i gjashti u dënua me 20 vjet burg pas sulmit.Prokurorët thanë se kishin hapur një çështje në lidhje me një pengmarrje. IK-19 Surovikino është një koloni penale e sigurisë së lartë. Besohet se ka rreth 1200 të burgosur.