Katër të rinjtë humbin jetën në aksidentin në Fushë-Prezë, zbardhet dëshmia e shoferit të betonieres Tentova të hap dyert, por shpërtheu në flakë

Zbardhet dëshmia e shoferit të betonieres, Aleksandër Krrashi, në lidhje me aksidentin tragjik që ndodhi më 19 mars në Fushë-Prezë, ku katër të rinj humbën jetën pasi u përplasën me mjetin që ai drejtonte. Krrashi, i cili është 24 vjeç, ka treguar se pas përplasjes, ka tentuar të hapë dyert e automjetit të viktimave, por makina shpërtheu në flakë, duke e bërë të pamundur ndihmën.

Sipas deklaratës së tij, pas aksidentit, ai ka kërkuar nga kompania që të dërgonte një betoniere me ujë për të shuar zjarrin, por fatkeqësisht flakët ishin përhapur shumë shpejt. Krrashi ka njoftuar gjithashtu familjen e tij dhe më pas është paraqitur në Komisariatin e Kamzës, ku u dorëzua së bashku me disa familjarë të tij.

Në seancën gjyqësore, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “burg pa afat” për 24-vjeçarin, ndërsa mësohet se ai nuk kishte patentë për të drejtuar betonieren. Ai ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave, duke theksuar se ishte një aksident tragjik dhe se ai bëri çmos për të ndihmuar.