Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ekzekutuar masat e sigurisë për katër punonjës policie në kuadër të një procedimi penal të nisur në vitin 2024. Vendimi është marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë dhe lidhet me dyshime për abuzim me tenderat dhe falsifikim dokumentesh.
Sipas njoftimit zyrtar të AMP-së, masat e sigurisë prekin ish-drejtues dhe punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë (DVP Tiranë), të dyshuar për kryerjen e veprave penale si “Shkelja e barazisë në tendera dhe ankande publike” në bashkëpunim, si dhe “Falsifikim i vulave, stampave e formularëve”.
Masat e ekzekutuara janë si më poshtë:
H.B., ish-shef i Sektorit Ekonomik në DVP Tiranë, aktualisht i vetëpunësuar pasi u largua nga detyra me kërkesën e tij. Gjykata ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, pasi dyshohet për “Shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike” dhe “Falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve”.
E. T. (Xh.), me detyrë shef i Sektorit të Kontabilitetit në DVP Tiranë, është vendosur nën masat e sigurisë “Pezullim i ushtrimit të detyrës” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, pasi dyshohet për përfshirje në abuzime me tendera.
J. C., specialist në Sektorin Ekonomik në DVP Tiranë, përballet me të njëjtat masa sigurie si E. T. (Xh.), i dyshuar për shkelje në tendera dhe falsifikim dokumentesh.
I. Sh., me detyrë në Sektorin Ekonomik në DVP Tiranë, është vënë nën masën “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për dyshime në shkelje të barazisë në tendera.
Procedurat ligjore janë ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë e çështjes, e cila do të vijojë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e secilit të dyshuar.