Katër persona përfundojnë në pranga në Tiranë/ Godasin policët dhe dëmtojnë automjetin e tyre

Katër shtetas janë arrestuar nga Policia e Tiranës pasi kundërshtuan dhe goditën efektivët për shkak të detyrës dhe dëmtuan automjetin e policisë gjatë procesit të shoqërimit.

Si ndodhi ngjarja?

Policia ndaloi një makinë që kaloi me semafor të kuq, por shoferi, në vend që të ndalonte, parkoi automjetin dhe tentoi të largohej në këmbë. Ai u ndalua nga policia për të kryer veprime administrative për shkeljen.

Gjatë ndërhyrjes, rezultoi se në automjet ndodheshin edhe tre persona të tjerë. Të katërt u përpoqën të pengonin policinë duke i kundërshtuar dhe goditur efektivët e Rrugores dhe Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit nr. 6.

Shoferi në gjendje të dehur

Pas verifikimeve, policia zbuloi se shoferi i mjetit ishte nën efektin e alkoolit. Gjatë shoqërimit në Komisariat, të arrestuarit dëmtuan automjetin e policisë dhe derën e ambienteve të shoqërimit.

Të arrestuarit dhe akuzat

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin nr. 6 arrestuan në flagrancë:

•A. Sh., 37 vjeç

•A. Xh., 32 vjeç

•B. Xh., 30 vjeç (të tre banues në Kukës)

•B. Xh., 25 vjeç (banues në Tiranë)

Ata akuzohen për veprat penale:

•Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik

•Kanosja për shkak të detyrës

•Goditja për shkak të detyrës

•Shkatërrimi i pronës, kryer në bashkëpunim

•Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.