Kate Middleton rrëfen për herë të parë për përvojën me kancerin dhe sfidat pas trajtimit

Në një vizitë prekëse në spitalin Colchester, Princesha e Uellsit, Kate Middleton, foli për herë të parë në mënyrë personale për betejën e saj me kancerin, duke ndarë sfidat e mëdha që e kanë shoqëruar, veçanërisht pas përfundimit të trajtimit.

“Faza pas trajtimit është shumë e vështirë. Nuk je më nën kujdesin e drejtpërdrejtë mjekësor, por as nuk funksionon dot si më parë në shtëpi. Duhet kohë për të gjetur ‘normalen e re’”, tha Kate përballë pacientëve dhe stafit mjekësor, duke theksuar se shumë të sëmurë ndihen të detyruar të mbajnë një maskë force, edhe kur në brendësi janë të rrënuar.

Princesha shtoi se pas përfundimit të terapisë, shumë njerëz ndihen të humbur dhe të vetmuar, pa rrugë të qartë për ndihmë. “Është një udhëtim me ulje-ngritje dhe një vend si ky i jep pacientëve ndjesinë se nuk janë vetëm,” u shpreh ajo.

Kate ndihmoi në mbjelljen e një kopshti me lule në oborrin e spitalit dhe bisedoi me pacientët mbi mënyrat kreative për të përballuar sfidat e sëmundjes, nga kopshtaria te këndimi. Ajo zbuloi se edhe vetë ka përdorur akupunkturën si pjesë e procesit të saj të shërimit.

Në fund të vizitës, ajo la një mesazh të fuqishëm:

“Shërimi nuk është vetëm fizik. Është emocional, mendor dhe shpirtëror. Dhe kjo kërkon kohë.”