KAS rrëzon kërkesën e PD për zgjedhjet në Himarë
KAS ka vendosur rrëzimin e kërkesës së PD për zgjedhjet në Himarë, të mbajtura në 4 gusht, nga ku rezultoi se Vangjel Tavo i PS-së fitoi postin e Kryebashkiakut me rreth 1500 vota përpara kandidatit të opozitës, Petro Gjikuria.
Sipas raportit të paraqitur, pas hapjes së 36 kutive të materialeve zgjedhore, që përkojnë me po kaq qendra votimi sa kishte Bashkia e Himarës, nuk janë evidentuar mospërputhje. Lidhur me numrin e personave që janë paraqitur në qendrat e votimit dhe nuk janë lejuar të votojnë për shkak të skadencës së dokumenteve, ka rezultuar se janë vetëm 161 persona.
Përfaqësuesi i opozitës tha se janë rreth 26 % e votuesve me dokumente të skaduara që nuk u lejuan të votojnë, duke zhbërë kështu të drejtën e votës. Sipas tij, janë të paktën 256 raste kur nga votues është rinovuar karta e identitetit në kohë rekord, 1 apo dy ditë para zgjedhjeve, aq sa nuk njiheshin nga sistemi PEI këto karta.
“Prodhimi i dokumenteve varet nga një kompani shtetërore, ne i qëndrojmë indicies që 311 shtetas janë shtuar në Himarë, 90 shtetas të tjerë janë shtuar pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, mbi 560 shtetasve iu mohua e drejta e votës, kemi pasur zhvendosje të zgjedhësve nga një qendër në tjetrën, kemi 88 raste kur votuesit nuk janë identifikuar përmes shenjave”, tha përfaqësuesi i opozitës. Sipas tij, të gjitha këto shkelje përbëjnë arsyet për shpalljen e pavlefshmërinë e zgjedhjeve në të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë.
Ndërkohë përfaqësuesi i Partisë Socialiste tha se pavarësisht se nuk kishte asnjë bazë ligjore, KAS miratoi hapjen e kutive. Sipas tij, janë vetëm 161 votues që nuk kanë votuar për shkak të dokumenteve, ndërsa u rrëzua ajo shifra 6 mijë që u tha në fillim.