Karrige, armë zjarri dhe…! Zbardhet sherri me një të plagosur në Tiranë, një nga pistat e hetimit janë “përplasjet” për paratë me fajde
Policia ka zbardhur dinamikën e konfliktit të ndodhur mbrëmjen e kaluar në një lokal në rrugën “Sami Frashëri”, ku disa shtetas janë përfshirë në një përplasje të dhunshme. Ngjarja, e cila dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta, ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit dhe disa arrestime.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi Adriani Shabanaj, 51 vjeç, banues në Fier, është shpallur në kërkim nga policia, pasi dyshohet se gjatë konfliktit ka goditur me qytën e një arme zjarri shtetasin Kasem Stani (Pasha), 40 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta. Po ashtu, dyshohet se Shabanaj ka qëlluar një herë me armë në drejtim të personave të tjerë, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar nga të shtënat.
Në vijim të veprimeve hetimore, forcat e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda, kanë bërë të mundur arrestimin e 8 personave të tjerë të përfshirë në konflikt: Kasem Stani (Pasha), Emiljan Ruko, Bjorni Tahiraj, Eriald Tahiraj, Denikiajder Tahiraj, Eduart Sulaj, Kastriot Stani dhe Elton Ajredinaj. Ata akuzohen për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Në vendngjarje është sekuestruar arma e përdorur në konflikt, një pistoletë, si dhe celularët e të arrestuarve dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë hetimit.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna intensive për kapjen e autorit të dyshuar, Adriani Shabanaj.