Karabinierët italianë prezencë të përhershme mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka bërë të ditur se karabinierët italianë po vazhdojnë të mbështesin komunitetet në Mitrovicë, përmes pranisë së përhershme në Urën e Ibrit.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet sekarabinierët italianë nga Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e KFOR-it, pjesë e misionit të udhëhequr nga NATO, po vazhdojnë me përkushtim angazhimin e tyre në komunën e Mitrovicës, duke mbështetur komunitetet lokale përmes prezencës së rregullt dhe patrullimeve të përditshme.
Me praninë fikse në urën kryesore të Ibrit, e cila historikisht ka qenë një pikë e ndjeshme ndarjeje në qytet, si dhe me patrullime në zonat përreth, karabinierët synojnë të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në veri të Kosovës.
Këto veprime janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet pa dallim etnik apo përkatësie. NATO, përmes KFOR-it, mbetet e përkushtuar në mbështetjen e paqes afatgjatë dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë.
Përfaqësues të KFOR-it kanë theksuar se prania e tyre synon të forcojë besimin ndërmjet komuniteteve dhe të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit në një zonë me ndjeshmëri të lartë politike dhe etnike.