Kapet pas muajsh në arrati! 29-vjeçari tentoi të ekzekutonte kushëririn me babanë dhe vëllanë

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Lokacioni”, duke arrestuar një 29-vjeçar të kërkuar për një tentativë vrasjeje të ndodhur në shtator të vitit 2024.

Bëhet fjalë për Mario Nela, i cili disa muaj më parë tentoi të ekzekutonte Ervin Nelën.

NJOFTIMI I POLICISE:

I arrestuari, shtetasi M. N., akuzohet se në bashkëpunim me babanë dhe vëllanë e tij, tentoi të vriste me armë zjarri kushëririn e tij, shtetasin E. N., gjatë një konflikti të ndodhur më 11 shtator 2024.

Ngjarja ndodhi në Tiranë, ndërsa menjëherë pas sulmit, babai dhe vëllai i autorit u arrestuan nga Policia, ndërsa 29-vjeçari arriti t’i shpëtonte kapjes deri më tani.

Pas sigurimit të informacioneve mbi vendndodhjen e tij, shërbimet e Komisariatit Nr. 3, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e tij.

Gjykata e Tiranës i kishte caktuar më herët masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.