Kapet organizatori i kontrabandimit të 670 000 litrave naftë nga Tunizia, vijon kërkimi për bashkëpunëtorin
Policia e Durrësit ka vënë në pranga një nga organizatorët e kontrabandimit të një sasie prej 670 000 litrave naftë nga Tunizia. Në vijim të operacionit të koduar “Ari i zi”, është ndaluar shtetasi E. S., 59 vjeç, banues në Durrës.
Ky person, në bashkëpunim me shtetasin F. B., i cili ndodhet ende në kërkim, dyshohet se ka organizuar kontrabandimin e naftës përmes anijes, duke fshehur sasinë në balastrat e anijes, që zakonisht përdoren për balancimin e saj.
E. S. u arrestua në hyrje të Shqipërisë nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Morinës.
Operacioni “Ari i zi”
Ky operacion u zhvillua më 12 janar në Portin e Durrësit, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas dhe u proceduan penalisht pesë të tjerë, të gjithë pjesëtarë të ekuipazhit të anijes.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe për kapjen e bashkëpunëtorit të ndaluarit, shtetasin F. B.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Autoritetet theksojnë angazhimin për të goditur veprimtaritë kriminale të kontrabandës dhe evazionit fiskal.