Kapet në Tiranë 41-vjeçari i kërkuar nga Austria për trafik droge dhe dhunë – Rrezikon deri në 20 vite burg

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses një tjetër operacion të rëndësishëm për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 54”, u arrestua në Tiranë Musli Aslani, 41 vjeç, me origjinë nga Shkupi, Maqedonia e Veriut.

Aslani ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet austriake, pasi ndaj tij ishte lëshuar urdhër arresti nga Zyra e Prokurorit Publik të Innsbruck, Austri, për disa vepra të rënda penale, përfshirë:

-Trafikim droge

-Kërcënim i rrezikshëm

-Zhvatje e rënduar

-Plagosje

Sipas Kodit Penal Austriak, për këto akuza parashikohet një dënim maksimal deri në 20 vite burgim.

Gjatë kontrollit fizik në momentin e arrestimit, Aslanit iu gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kanabis, që iu dorëzua autoriteteve për hetim të mëtejshëm.

Operacioni u drejtua nga strukturat e Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Interpol Tirana, i cili tashmë ka nisur procedurat ligjore për ekstradimin e Musli Aslanit drejt Austrisë.

Ky është operacioni i 54-të në serinë e aksioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave të rrezikshëm me urdhër arresti ndërkombëtar.