Kapet në Mal të Zi shqiptari me 940 mijë euro të padeklaruara, dyshohet se janë përfituar nga aktivitet kriminal
Një shtetas shqiptar është arrestuar në Malin e Zi pasi tentoi të kalonte në Shqipëri 940 mijë euro të padeklaruara. Sipas Prokurorisë Speciale të Malit të Zi, paratë dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale dhe u zbuluan gjatë një kontrolli në pikën kufitare Božaj.
“Një shtetas shqiptar me inicialet T.M. dyshohet se ka transportuar 940,000 euro, të fshehura në një automjet mallrash, nga Austria në Slloveni, nga Sllovenia në Kroaci dhe nga Kroacia në Mal të Zi, me qëllim që t’ia dorëzonte një personi të panjohur në Shqipëri,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Shqiptarit iu sekuestruan paratë dhe prokuroria ka kërkuar zgjatjen e paraburgimit të tij dhe konfiskimin përfundimtar të shumës së zbuluar.