Kapet në Athinë shqiptari që vepronte si vrasës me pagesë për mafian turke – plagosi 2 persona, mes tyre edhe një polic
Policia greke ka arritur të zbardhë atentatin e ndodhur më 13 korrik në një lokal në rrugën “Tripoleos”, në Athinë, ku mbetën të plagosur dy persona, përfshirë një shtetas turk dhe një polic grek. Në prangat e autoriteteve ka rënë një 22-vjeçar shqiptar, Alesio Biba nga Vau i Dejës, i dyshuar si autor i atentatit, i kryer me porosi të mafias turke.
Sipas policisë, objektivi i atentatit ishte Volkan Ertas, 48 vjeç, i cili mori katër plumba, ndërsa një prej plumbave plagosi aksidentalisht një polic grek, bashkëshortin e pronarit të lokalit. Ertas kishte shkuar aty për të marrë një makinë si shkëmbim për një borxh, por pas dyshimeve për rrezik, kishte devijuar rrugën dhe ishte futur në lokal, ku më pas ndaj tij është hapur zjarr.
Pas hetimeve, policia greke identifikoi dhe arrestoi shqiptarin Alesio Biba si autor të ngjarjes. Gjatë arrestimit, ai theu celularin përpara oficerëve të policisë, ndërsa në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan:
-1 pistoletë “Grand Power MK7” me një krehër me 15 fishekë
-1 krehër pa fishekë
-29 fishekë të tjerë dhe 1 fishek “Luger”
-1 celular “Samsung”
4 paketa me katër numra celularë
-1 letër me udhëzime për përdorimin e GPS Tracker për makina
-1 kartë SIM
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, Biba pranoi se kishte qëlluar ndaj Volkan Ertas, por tha se kishte për qëllim vetëm ta plagoste, jo ta vriste.
Sipas autoriteteve, atentati ishte porositur nga shtetasi turk Suleyman Dalgic, i cili ndodhet në burgun e Larisas dhe është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 6 turqve në tetor 2023 në Artemida.
Viktimat ishin pjesë e grupit mafioz turk “Daltons”, ndërsa Dalgic dyshohet se i nxori ata në pritë. Në qelinë e tij nuk u gjetën sende të paligjshme.