Kapet me drogë me vlerë 600 mijë euro në Itali, arrestohet një 33-vjeçar shqiptar

Një 33-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e autoriteteve italiane në Firence, pasi u kap në flagrancë me një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike që kapte një vlerë tregu prej rreth 600 mijë eurosh. Operacioni u zhvillua nga Guardia di Finanza, pas një hetimi që nisi kur shqiptari u pikas duke kryer lëvizje të dyshimta me automjetin e tij.

Gjatë ndalimit dhe kontrollit të detajuar, në makinën e tij dhe më pas në një ambient të përdorur për përpunim dhe fshehje të drogës, u gjetën mbi 15 kilogramë kokainë të ndarë në 20 pako, 12 kilogramë marijuanë, si dhe një shumë prej 37 mijë eurosh në para të gatshme, të gjitha të sekuestruara në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të operacionit, policia sekuestroi edhe pajisje të shumta të përdorura për përgatitjen dhe paketimin e dozave të drogës, përfshirë makineri vakumi, peshore precize, thasë ambalazhues, prerëse, si dhe disa çanta shpine, ku dyshohet se droga transportohej.