Emri/ Kapet me doza kokaine gati për shitje, arrestohet 22-vjeçari në Durrës

Një 22-vjeçar është arrestuar në Durrës. Sipas policisë shtetasi Leonard Limani, kishte fshehur në automjetin e tij sasi lëndësh narkotike të ndarë në porcione gati për shitje.

Materialet procedurale i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

DVP Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Porcione”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në doza.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Sekuestrohen dhjetëra doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, si rezultat i hetimeve të bazuara në informacionet policore, shërbimet e DVP Durrës kanë finalizuar një tjetër operacion policor, të koduar “Porcione”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:

L. L., 22 vjeç, banues në Durrës.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në një vend të përshtatur për të fshehur lëndën narkotike, gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, e ndarë në dhjetëra porcione, gati për shitje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.