Kapet me çantën plot me drogë në Durrës, arrestohen tre persona, kamerat zbulojnë momentin e shitjes

Një operacion policor ka çuar në arrestimin e tre personave në Durrës, të dyshuar për trafik droge. Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur një 34-vjeçar blen një sasi lënde narkotike nga dy persona në zonën e Spitallës.

Policia ndaloi automjetin që drejtohej nga H. Ç., 34 vjeç, banues në Lushnjë, pranë mbikalimit të Shkozetit. Gjatë kontrollit, në bagazhin e makinës u gjetën rreth 3.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa.

Në vijim të hetimeve, uniformat blu lokalizuan dhe arrestuan dy persona të tjerë, A. K., 43 vjeç, dhe G. K., 25 vjeç, të cilët dyshohet se ia kishin shitur drogën 34-vjeçarit.

Gjatë kontrollit të automjetit të tyre, policia gjeti dhe sekuestroi edhe një dorezë hekuri, ndërsa ndaj tyre rëndojnë akuzat për prodhim dhe shitje të narkotikëve, si dhe për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit të shpërndarjes së drogës.