Kapet i armatosur në Shkodër, arrestohet 56-vjeçari me kallashnikov dhe thikë
Një 56-vjeçar nga Shkodra është vënë në pranga pasi u kap duke lëvizur i armatosur me një kallashnikov dhe një thikë. Operacioni policor i koduar “Parandalimi” çoi në sekuestrimin e armëve dhe municioneve luftarake.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shtetasi A.C., banues në fshatin Leporosh, u ndalua në fshatin Vrakë nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme. Gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjetën një kallashnikov me një krehër të mbushur me municion luftarak dhe një thikë.
Policia njoftoi se arrestimi i tij u bë në flagrancë dhe materialet e sekuestruara u dërguan për ekspertizë. Hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për të zbardhur arsyet dhe qëllimin e lëvizjes së armatosur të 56-vjeçarit.
Materialet për këtë çështje i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.