Kapet hajduti serial në Vlorë, 33-vjeçari vodhi pajisje elektronike në tre lagje brenda një jave

Një 33-vjeçar me inicialet E.S. është arrestuar nga policia e Vlorës, pasi dyshohet si autor i tre rasteve të vjedhjeve të ndodhura gjatë javës së fundit në qytet. Ai ka grabitur pajisje elektronike dhe sende me vlerë në zona të ndryshme të Vlorës, ndërsa hetimet po vijojnë për të dokumentuar edhe raste të tjera të mundshme vjedhjesh.

Sipas Policisë së Shtetit, më 29 maj, në lagjen “Osman Haxhiu”, E.S. hyri në një lokal në pronësi të shtetasit F.Xh., ku vodhi dy televizorë me vlerë 100 mijë lekë.

Dy ditë më parë, më 27 maj, në lagjen “Lirim”, ai u fut në zyrën e shtetasit K.K., ku grabiti dy televizorë, tre laptopë dhe dy telefona celularë.

Një tjetër vjedhje, që i atribuohet 33-vjeçarit, ka ndodhur më 24 maj në lagjen “28 Nëntori”. Ai ka vjedhur baterinë e një automjeti dhe disa pajisje të përdorura për zhytje, me një vlerë të përllogaritur rreth 30 mijë lekë.