Kapet bosi më i kërkuar i drogës në Ekuador, “Fito” fshihej në një bunker nëntokësor nën një vilë luksoze

Policia në Ekuador ka riarrestuar një nga figurat më të rrezikshme të botës së krimit në Amerikën Latine, Adolfo Macías Villamar, i njohur me pseudonimin “Fito”. Ai është lideri i fuqishëm i bandës kriminale Los Choneros, e cila akuzohet për përhapjen masive të dhunës dhe përfshirjen në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Fito ishte shpallur në kërkim që prej arratisjes së tij spektakolare nga burgu në janar të këtij viti, vetëm pak ditë përpara se Ekuadori të shpallej në gjendje lufte ndaj bandave. Ai u kap pas një operacioni të koordinuar mes policisë dhe ushtrisë, që zgjati rreth 10 orë në qytetin bregdetar Manta.

Agjentët kishin monitoruar një vilë trekatëshe në lagjen Monterrey dhe, gjatë kontrollit, zbuluan një derë të maskuar që dukej si pjesë e dyshemesë prej guri. Pas saj fshihej një shkallë metalike që të çonte në një bunker nëntokësor. Strehimi sekret ishte i pajisur me krevat, kondicioner, ventilator dhe frigorifer – kushte komode për një jetë në arrati.

Macías, i cili nuk bëri rezistencë gjatë arrestimit, u transferua me aeroplan në qytetin portual të Guayaquil, ku ndodhen burgjet më të fortifikuara të vendit. Ai është gjithashtu i dyshuar si porositësi i vrasjes së kandidatit presidencial Fernando Villavicencio në gusht të vitit 2023.