Kapet banda e hajdutëve serialë në Lezhë, në pranga dy shtetas nga Shkodra

Policia e Lezhës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Shades”, duke arrestuar në flagrancë dy persona të dyshuar për një seri vjedhjesh në banesa dhe biznese.

Të arrestuarit janë Sokol Pali, 52 vjeç, dhe Marjan Kelaj, 51 vjeç, të dy banues në Shkodër. Ata akuzohen për disa raste vjedhjesh të kryera me thyerje në Lezhë. Vetëm ditën e djeshme, dyshohet se kanë vjedhur para, pajisje pune dhe produkte të ndryshme në dy dyqane në fshatin Blinisht dhe në një servis në fshatin Dajç.

Pas arrestimit, hetimet e mëtejshme zbuluan se të njëjtët shtetas ishin autorë edhe të gjashtë rasteve të tjera të vjedhjes në banesa. Gjatë kontrollit në banesat e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi sende të dyshuara të vjedhura, si dhe mjete që mendohet se janë përdorur për kryerjen e vjedhjeve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, ndërsa të dy të arrestuarit do të përballen me akuzën e “Vjedhjes”, kryer në bashkëpunim dhe në mënyrë të përsëritur. Hetimet për zbardhjen e plotë të rasteve të tjera të mundshme vazhdojnë.