Kapet 48-vjeçari nga Kuçova me doza kanabisi në Tiranë, i fshihte në një tunel pranë pallatit

Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër operacion kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Një 48-vjeçar nga Kuçova, i identifikuar si A. Xh., u kap në flagrancë me doza kanabisi të gatshme për shitje, ndërsa gjatë kontrolleve u zbulua se lëndën narkotike e kishte fshehur në një tunel pranë një pallati në rrugën “Dalip Zavalani”. Lënda u sekuestrua, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Goditje të njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në doza.

U kap në flagrancë, me doza kanabisi të gatshme për shitje, vihet në pranga 48-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve të kryera, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë evidentuar dhe goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.

Për këtë rast, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve u vu në pranga shtetasi A. Xh., 48 vjeç, banues në Kuçovë, i cili u kap në flagrancë me doza kanabisi të gatshme për shitje.

Gjatë vijimit të kontrolleve, në një tunel afër një pallati në rrugën “Dalip Zavalani”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan doza të tjera kanabisi të gatshme për shitje, që dyshohet se ishin fshehur nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.