Kapen në flagrancë nëna dhe djali duke i shitur malazezit 3.8 kg kanabis në Shkodër

Policia e Shkodrës ka arrestuar 4 persona, të cilët akuzohen për përfshirje në trafik droge. Burime zyrtare bënë me dije se pas 4 muajsh hetime me metoda proaktive, u kapën në flagrancë gjatë shitblerjes së 3.8 kilogramëve cannabis sativa, shitësit dhe blerësi i drogës, shtetas malazez.

NJOFTIMI I POLICISE
Në pranga dhe nëna e njërit prej të arrestuarve, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për të siguruar lëndën narkotike. Sekuestrohen lënda narkotike, 2 automjete dhe 6 celularë. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e për Hetimin e Trafiqeve dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, gjatë këtij operacioni, arrestuan në flagrancë shtetasit V. Y., 58 vjeçe dhe K. Y., 28 vjeç (nënë e bir), shtetasin S. F., 63 vjeç, si dhe shtetasin nga Mali i Zi, I. D., 35 vjeç.

Në fshatin Kullaj, shtetasit K. Y. dhe S. F. u kapën në flagrancë, teksa i shisnin 35-vjeçarit, rreth 3.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa, për sigurimin e së cilës dyshohet se kanë bashkëpunuar me shtetasen V. Y. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.