Dy shqiptarë të dënuar për vrasje në Itali dhe të shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitit 1999 janë arrestuar në një operacion të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Në kuadër të operacionit të koduar “Difficult Conditions”, në një zonë të thellë të fshatit Rreth-Kale, Dibër, u lokalizuan dhe u vunë në pranga kushërinjtë Andon (alias Afrim) Sina, 51 vjeç, dhe Niko (alias Faslli) Sina, 48 vjeç. Të dy këta shtetas ishin dënuar me 14 vjet e 11 muaj burgim secili nga Gjykata e Apelit të Napolit për vrasje me dashje në bashkëpunim dhe për tentativë vrasjeje.
Sipas autoriteteve italiane, më 22 shtator 1999, në komunën Griciniano d’Aversa, dy shqiptarët vranë me sende të forta dhe mjete prerëse një shtetas shqiptar, B.C., dhe plagosën rëndë një tjetër, F.S., pas një konflikti të lidhur me ndarjen e të ardhurave nga aktivitete të paligjshme.
Të dy të kërkuarit ishin fshehur prej vitesh në Dibër, duke përdorur identitete të ndryshme për t’iu shmangur drejtësisë. Megjithatë, pas hetimeve të përbashkëta mes Policisë së Shtetit, Zyrës së Ekspertit për Sigurinë në Shqipëri dhe Policisë Italiane, u bë e mundur identifikimi i saktë i vendndodhjes së tyre dhe arrestimi në kushte të vështira terreni dhe moti.
Operacioni “Difficult Conditions” është një tjetër goditje e suksesshme në kuadër të projektit “Të Kërkuarit”, që synon lokalizimin dhe ekstradimin e personave të rrezikshëm të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Dy të arrestuarit do të ekstradohen drejt Italisë për të vuajtur dënimin.