Kaos në Shtutgart: Futet me makinë mes turmës dhe plagos gjashtë persona, arrestohet autori
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur pasditen e së premtes në qytetin e Shtutgartit, në Gjermani, ku një automjet tip Mercedes hyri mes një turme qytetarësh, duke përplasur disa prej tyre dhe duke shkaktuar panik të madh.
Sipas mediave gjermane, të paktën gjashtë persona mbetën të plagosur si pasojë e ngjarjes, disa prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Të dëmtuarit janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Policia e Shtutgartit njoftoi se incidenti ka ndodhur në zonën Olgaeck, një nga pjesët qendrore të qytetit. Menjëherë pas ngjarjes, forcat e rendit kanë ndërhyrë dhe kanë arrestuar drejtuesin e mjetit, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim.
Autoritetet gjermane kanë njoftuar se operacioni në vendngjarje është ende në zhvillim dhe se qarkullimi në zonë është bllokuar, si për arsye hetimore, ashtu edhe për sigurinë e qytetarëve. Ende nuk janë dhënë detaje nëse bëhet fjalë për një aksident të qëllimshëm apo një incident të rastësishëm.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e këtij akti që ka shkaktuar tronditje të madhe në qytet.