Kaos në SHBA! Një oficer plagoset, disa civilë sulmohen në kishë. Nuk dihet numri i viktimave
Një ngjarje e rëndë me armë ka tronditur qytetin Lexington në SHBA paraditen e së dielës, ku një person i armatosur qëlloi një oficer policie dhe më pas hapi zjarr brenda një kishe, përpara se të neutralizohej nga forcat e rendit.
Sipas autoriteteve amerikane, gjithçka ndodhi rreth orës 11:36 pranë Aeroportit “Blue Grass”, ku sulmuesi goditi me armë zjarri një efektiv të Policisë Shtetërore të Kentucky-t (KSP). Oficeri u transportua menjëherë drejt spitalit dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas atentatit, agresori u largua me shpejtësi dhe u drejtua drejt një kishe në zonën e Richmond Road. Aty ai qëlloi mbi disa persona të tjerë, duke shkaktuar disa të plagosur. Policia e Lexingtonit dhe KSP ndërhynë me forcë dhe e vranë autorin në ambientet e kishës.
Guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear reagoi përmes një deklarate:
“Oficeri dhe të plagosurit po trajtohen në një spital aty pranë. Ju lutemi lutuni për të gjithë ata që janë prekur nga këto akte të pakuptimta dhune. Falënderojmë reagimin e shpejtë të autoriteteve.”
Policia ende nuk ka dhënë informacione zyrtare mbi identitetin e autorit, numrin e viktimave apo motivin e ngjarjes. Hetimet vijojnë intensivisht në vendngjarje.